Punë e individëve entuziastë,
mbledhi e folësve fascinantë
dhe ideve të mrekullueshme.
në Auditorium të
American School of Kosova
// HARTA
Folësit në TEDxPrishtina vijnë nga lëmitë e ndryshme profesionale dhe akademike, nga periferia e qendra, si dhe brenda e jashtë Prishtinës.
Sislej Xhafa është artist bashkëkohor i njohur për kërkimet e tij mbi realitetin shoqëror, ekonomik dhe politik si dhe bashkëveprimin e tyre me shumëllojshmërinë e paqëndrueshme të shoqërisë moderne. Gjurmimet e tij përdorin një gjuhë minimaliste, ironike dhe subversive në të njejtën kohë, duke vënë në shfrytëzim një varg të gjerë të mediumeve, që nga skulptura, vizatimi deri te performance dhe fotografia. Hulumtimet artistike të Xhafës përfshijnë një mori qasjesh, duke filluar nga hetimi i statusit ligjor të Kosovës me “Pavilioni Klandestin” në Bienalen e Venecias deri në refleksionin mbi konceptin e sigurisë dhe stabilitetit me vepra të ekspozuara në New York. I vendosur në New York, veprat e Sislejt nuk mjaftohen me pasqyrimin e realitetit. Përmes artit të tij, Sislej e vë atë në pyetje.
Permalink: Sislej Xhafa
Aida Bytyçi do t’ju rrëfejë tregimin më të shkëlqyer të shkruar ndonjëherë në katër shkronja: A, T, C dhe G. Katër nukleotidet që e krijojnë kodin e ADN-së janë thelbi i librit më të mirë të shkruar ndonjëherë, Gjenomi Njerëzor. Aida është këshilltare gjenetike e çertifikuar në Institutin McKusick-Nathans të Mjekësisë Gjenetike në Universitetin Johns Hopkins në SHBA. Ajo e ndan kohën e saj ndërmjet ofrimit të këshillimit pacientëve dhe hulumtimit për disa projekte shkencore. Njëri ndër ta tenton të rendojë të gjithë gjenomin njerëzor për të identifikuar gjenet përgjegjëse për sindromet dhe gjendjen shëndetësore të trashëguara. Si këshilltare gjenetike, Aida ofron mbështetje dhe këshilla për pacientët dhe familjet e tyre për sindromat gjenetike. Në këtë pozicion ideal në mes të hulumtimit shkencor dhe të komunikimit e punës me pacientë, Aida orientohet përmes yllit polar të risive kreative nga shkenca e arti. Ajo beson se këto dy disiplina e stimulojnë mendjen dhe kërkojnë një imagjinatë të zhvilluar për të sjellë ndryshim në jetët e njerëzve.
Permalink: Aida Bytyçi
Një poete ambicioze, profesioniste aktive e medias, si dhe nënë, Albana Shala ka ndërmarrë një udhëtim të përmasave të mëdha në jetën e saj.
Me një përvojë të drejtpërdrejtë me autizmin përmes djalit të saj, Albana tenton një kombinim të shkrimit, poezisë, të qenit nënë, si dhe një sensi të pashtershëm për misteret e gjendjes njerëzore, duke i paraqitur këto në një përmbledhje holistike.
Me optimizëm dhe mirëkuptim, Albana nxjerr në dritë një tregim, i cili ka të bëjë me kultivimin e një kulture të pranimit si dhe kuptimit të personave me aftësi të kufizuara, në një kontekst ku tradita e një kuptimi të atillë mungon. E mbështetur në realitetin e prekshëm bashkëkohor, Albana propozon një rishqyrtim të vlerave të vjetëruara dhe kërkon sinergji e mënyra të reja komunikimi, në mënyrë që njohuria të rrjedhë lirshëm, kurse injoranca të harrohet.
E vendosur në Amsterdam, Albana është nominuar dhe shpëblyer nga disa institucione prestigjioze për poezinë e saj, dhe vazhdon të mbajë një përkushtim dhe dhembshuri në veprimtarinë e saj.
Permalink: Albana Shala
Janari 2011 e gjen Ahmed Naguibin në rrugë, së bashku me shumë egjiptas të tjerë në përpjekjet e tyre për të luftuar për drejtësi shoqërore dhe demokraci. Ahmedi ka mobilizuar familjen dhe miqtë e tij – pesë vetë – për të marshuar së bashku për 20 kilometra deri në sheshin Tahrir. Në fund të këtij marshi, kanë arritur të grumbullojnë 30,000 protestues.
Ahmedi ka marrë pjesë në Këshillin e Mirëbesimit të Revolucionit, një komitet i protestave të sheshit Tahrir. Së fundi, ka themeluar Komitetin e Kordinimit të Masave, një komitet i përbashkët për të mobilizuar opinionin publik për t’i bërë presion autoriteteve të përkohshme Egjiptase të përmbushin kërkesat popullore të revolucionit. Si ithtar i vërtetë i idesë se gjenerata jonë ka potencialin ta ndryshojë botën, ai është duke punuar në themelimin e një shkolle për edukimin e aktivistëve të rinj politikë mbi anën praktike të politikës dhe ndikimit në politikat shtetërore.
Përpjekjet për të ndërtuar diçka të re vijnë me arritjen e vrullit të duhur për të ndryshuar të vjetrën, dhe më pas me këmbënguljen për t’i shkuar kësaj pune deri në fund. Ahmedi vjen në TEDxPrishtina për të treguar historinë e Egjiptit gjatë Pranverës Arabe si dhe për të folur për sfidat për të implementuar plotësisht kërkesat e revolucionit.
Permalink: Ahmed Naguib
Kushtrim Ahmeti është student i stomatologjisë dhe aktivist në nivel komunitetesh, ideja e të cilit është përhapur jashtëzakonisht shpejt në Turqi e në mbarë botën. Duke e kuptuar fuqinë e vullnetit kur bashkohet me zgjidhjet kreative, Kushtrim Ahmeti arriti të ndryshojë mënyrën në të cilën shikohet mbrojtja e mjedisit karshi ndihmës për njerëzit me aftësi të kufizuara. Përmes një qasjeje komplekse e humane, nisma e tij “Mbledhim Kapakët e Plastikës në Ndihmë të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara” ka shndërruar 235 mijë kilogram plastikë në rreth 1200 karroca invalidësh.
Iniciativa e kapakëve fton njerëzit të mbledhin kapakë të plastikës, të cilët më pas riciklohen për të prodhuar karroca për nevojat e personave me aftësi të kufizuara, të cilët nuk kanë mundësi t’i blejnë ato. Aktualisht, kjo iniciativë po zgjerohet në 81 qytete të Turqisë dhe në 44 vende të botës.
Përpjekjet e Kushtrimit për të sjellë ndryshime pozitive nuk ndalen vetëm me iniciativën e kapakëve. I udhëhequr nga vizioni se bota ka nevojë të shndërrohet në një vend më të mirë duke përmirësuar mirëqenien shëndetësore dhe atë socio-ekonomike të njerëzve, Kushtrimi vjen në TEDxPrishtina për të folur se si lind një ide universale dhe si arrin të bëj jehonë në shoqëritë anembanë botës.
Permalink: Kushtrim Ahmeti
Elvis Hoxha është një nga përfaqësuesit më të spikatur të brezit të ri të mendimtarëve politikë shqiptarë. Vendimin për t’u thelluar në lëminë e filozofisë, Elvisi e mori ndërsa kryente studimet për inxhinieri kimike në Universitetin e Tiranës. Mbas diplomimit, ai kaloi nga kimia e përbërësve materialë në kiminë e ingredientëve intelektual të jetës njerëzore.
Nga Tirana, Elvisi u transferua në Francë, ku kreu diplomimin dhe masterin, e më pas doktoraturën. Gjatë qëndrimit në Francë, ka mbajtur leksione në epistemologji, si dhe ka qenë anëtar i “Art et Diffusion,” një ekip kërkimor pranë Maison des Sciences de l’Homme (Paris Nord), i cili studion fomat e ndjeshmërisë në relacion me aparatet dhe në kuadrin e asaj që mund të quhet industri e ndjesores.
Elvisi beson se për të folur për sendërtimin, së pari duhet të themelojmë referencën e “Publikes”. Me këtë rast, ai merr studentin si shënjues të publikes, në kohën kur institucionet, qyteti, dhe politika po boshatisen nga ky koncept.
Vetë është lektor në lëndën e filozofisë, filozofisë politike dhe estetikës pranë Akademisë Marubi, Akademisë së Arteve dhe Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Permalink: Elvis Hoxha
Kur në fillim të viteve 80-të, një udhëtim i gjatë me tren e shpuri Enver Robellin në Zvicër, ajo çka do t’i ndodhte 20 vjet më vonë ishte po aq larg për të sa edhe vendlindja. Që prej vitit 2007, ai punon si korrespondent për Evropën Juglindore i gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung dhe asaj zvicerane Tages Anzeiger. Mes viteve 2001-2007 ka punuar si redaktor i politikës së jashtme e Tages Anzeiger dhe ka mbuluar zhvillimet politike, ekonomike dhe kulturore në Ballkan dhe Turqi.
Enveri jeton në trekëndëshin Zyrih, Zagreb e Prishtinë, dhe udhëton shpesh në Tiranë e Sarajevë. Duke sjellë një shikim përtej gardheve ballkanike mbi rajonin që e quan vendlindje, Enveri e sheh punën e tij si një miks mes obligimit dhe kënaqësisë.
Enveri është i pranishëm me shkrimet e tij edhe në medie të tjera. Që nga viti 1997, shkruan kolumne dhe tekste të tjera për të përditshmen Koha Ditore. Tekste të Enver Robellit janë botuar në gazetat gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe Tagesspiegel.
Një gazetar i pavarur, por jo indiferent, Enver Robelli mendon se kush nuk zemërohet nuk është mirë të angazhohet në punët publike, qoftë gazetari, qoftë politikë. Vjen në TEDxPrishtina për të folur rreth rolit të gazetarisë në funksionalizimin e një shoqërie.
Permalink: Enver Robelli
Nurhan Qehaja është një artiste e re bashkëkohore dhe ambasadore e ushqimit vegjetarian. Ky rol i dytë është vazhdimësi e natyrshme e përpjekjeve të saj për të përdorur artin dhe performancën në eksplorimin e çështjeve të identitetit të unit, marrëdhënies së tij me trupin dhe me tokën. Ushqimi, ashtu si arti, i kanë mundësuar Nurhanit të kapet mbas pyetjeve për mënyrën si shërohemi, për marrëdhënien tonë me ushqimin, dhe si kjo ndikon ne vetëshprehjen tonë. Për Nurhanin, ushqimi është burim inspirimi dhe instrument i shprehjes në të njëjtën kohë, si tjetër medium që ajo përdorë përveç fotografisë, videove, poetikës, dhe vetë trupit të saj.
Nurhani e filloi karrierën e saj artistike si studente e arteve vizuele në Universitetin e Teknologjisë të Auckland-it në Zelandën e Re. Gjatë asaj kohe, ajo bashkëpunoi në katër ekspozita me artistë të rinj nga Zelanda e Re dhe gjithashtu pati dy performanca dhe një ekspozitë individuale me fotografi. Me t’u kthyer në Kosovë, Nurhani pati mjaft bashkëpunime me artistë kosovarë, të cilat u shfaqën në pika të mirënjohura për artin si Novi Sadi në Serbi dhe Viena në Austri.
Ajo filloi të eksperimentojë seriozisht me ushqimin vegjetarian vetëm pesë vite më parë. E përballur me sfidat e vegjetarianëve, që jetojnë në një vend që e do mishin siç është Kosova, Nurhani vendosi të hapë lokalin e parë me ushqim vegjetarian në Prishtinë. Hapi i saj i rradhës është hapja e një restoranti të mirëfilltë vegjetarian.
Permalink: Nurhan Qehaja