Punë e individëve entuziastë,
mbledhi e folësve fascinantë
dhe ideve të mrekullueshme.
në Auditorium të
American School of Kosova
// HARTA
Nga Zach Yentzer
Njeriu nuk mund të dijë se nga është duke shkuar në qoftë se nuk e kupton ku ka qenë, ose ku është tani – të tashmes i nevojitet e kaluara, dhe të ardhmes i nevojitet e tashmja. Sendërtimi kolektiv i një ideje kërkon një sendërtim individual së pari, diçka që gazetari Enver Robelli e konsideron vendimtare për ndërtimit e një kombi dhe shteti. Kur pata rastin të dëgjoj mendimet e tij për Kosovën, ai e përshkroi këtë realizim individual në tre pjesë: kuptimi i shtetit si një sistem i cili përherë lufton për balancë, konceptualizimi i ndërlidhshmërisë së çështjeve sociale, si dhe një realizim inteligjent i asaj që individi dëshiron për kolektiven si bazë për çdo gjë tjetër.
Realizimi individual duhet të jetë një kuptim inteligjent i komb-shtetit si një sistem kompleks, një balancë konstante e forcave kundërshtare, një përkujdesje e vazhdueshme ndaj së mirës, në mënyrë që të mbrohet nga e keqja. Enveri e përshkruan përhapjen e ideve si një shembull të diçkaje që është sa e fuqishme po aq mund të jetë edhe e dëmshme.
Kur e pyeta se pse një shoqëri duhet të vlerësojë përhapjen e ideve, përgjigja e tij ishte e thjeshtë: “Shoqëritë që nuk i shpërndajnë idetë dhe që nuk kanë një skepticizëm të shëndoshë ndaj pushtetit, janë të dënuara të ngecin”. Ai po ashtu paralajmëron se ngecja shumë shpejt mund të kthehet në diçka të shëmtuar. “Idetë për zhvillimin e një shoqërie funksionale janë në të mirën e përgjithshme, përveç atyre që e shohin demokracinë si instrument të manipulimit. Fatkeqësisht, janë këto ide – idetë e manipulimit - ato të cilat sot janë dominante në spektrin politik në Kosovë.”
Si një gazetar i cili analizon Kosovën nga një perspektivë ndërkombëtare, Enveri thotë se idetë dominuese sot në Kosovë, që lidhen me manipulimin, politikisht duhet të kundërshtohen me një ide tjetër, atë për të cilën ai thotë se është vendimtare për suksesin e Kosovës: kundërshtimin e padrejtësisë. Është një ide e cila godet në zemër të ndërlidhshmërisë së çështjeve, të kuptuarit se sundimi i ligjit dhe drejtësia janë fundamentale në arritjen e një qeverisje të qëndrueshme përkundër kaosit shoqëror. “Në këtë moment kemi një grup prej rreth dy mijë njerëzve të cilët janë duke marrë nga shoqëria e tyre në vend se t’i shërbejnë asaj, një shoqërie e cila, në anën tjetër, është duke u varfëruar çdo ditë. Dhe një shoqëri e varfër është ajo e cila është e poshtëruar dhe e nënshtruar. Një shoqëri e varfër ka si rezultat popullin i cili është lehtë i manipuluar dhe i cili joshet nga idetë populliste ndërsa synon një ekzistencë më të mirë.”
Pra, cila është zgjidhja? Ndonëse një ide është një fillim i mirë, ajo nuk mjafton. Kjo ide duhet të vijë nga kuptimi inteligjent i asaj që një individ duhet të shoh nga vetvetja dhe shoqëria e tij. Për Enverin, individi i detyrohet vetvetes për paqe të brendshme me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. “Si një shoqëri, jemi të lirë, por ne ende kemi nevojë të vijmë në paqe me vetveten”. Pasi të arrihet kjo, Enveri argumenton se individi do të jetë në gjendje të formojë një vizion kolektiv për shoqërinë e tij. Për Kosovën, ky vizion është i qartë: “Ne duhet të duam një Kosovë evropiane, ku gjyqësori meriton emrin. Ne duhet të duam një ekonomi ku punëtori është i respektuar dhe jo i patronizuar. Dhe ne duhet të duam një shtet i cili përfaqëson vlerat demokratike dhe kulturën përëndimore.”
Në këtë kontekst, nuk bëhet fjalë nëse Kosova është një shtet në ndërtim e sipër apo jo - ky është fokus i gabuar, thotë ai. “Çdo shtet i ri është në ndërtim. Është më me rëndësi që të mos humbet shpresa se Kosova si një shtet i pavarur është mundësia jonë si qytetarë të gëzojmë respekt në rajon dhe në botë.” Dukë përdorur Shqipërinë si një shembull, Enveri tregon se Kosova pashmangshëm do të kalojë në kohë të vështira për të arritur pavarësinë e plotë. Ai shtoi se sa kohë kjo do të marrë varet nëse populli zgjedh të mënjanoj marrëzinë dhe ta zëvendësojë atë me inteligjencë, në mënyrë që të arrijë në realizimin kolektiv të një Kosove plotësisht të pavarur.